Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca janë vaksinuar kundër koronavirusit, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, përmes një komunikate për media.
Imunizimi i dy zyrtarëve të lartë shtetëror të Kosovës është bërë në Sallën 1 Tetori në Prishtinë e cila është transformuar në qendër vaksinimi.
Sipas njoftimit, Osmani dhe Konjufca kanë parë nga afër “përgatitjet për vaksinimin në masë që do të fillojë nga java e ardhshme”.
“Presidentja Osmani, me këtë rast ka porositur të gjithë qytetarët që sapo të fillojë vaksinimi masiv, t’i përgjigjen ftesës për vaksinim të Ministrisë së Shëndetësisë. Vaksinat janë të sigurta dhe vetëm përmes vaksinimit dhe respektimit të masave, do të mund t’i kthehemi normalitetit duke mposhtur virusin COVID-19”, thuhet në njoftim.
Edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ftuar qytetarët që ta marrin vaksinën, sepse sipas tij, me vaksinim bëhet e mundshme hapja, rikthimi i normalitetit, por edhe stabiliteti i përgjithshëm.
Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia ka njoftuar se afër 100 mijë qytetarë janë vaksinuar deri më tani me të paktën një dozë të vaksinës.
Sipas tij vaksina nuk ka pasur asnjë efekt serioz anësorë në asnjë prej të vaksinuarve.
Në Kosovë, procesi i vaksinimit kundër COVID-19 ka nisur në fund të marsit.