Një valë mesazhesh mashtruese që përdorin emrin e Postës Shqiptare po qarkullon sërish në vend, duke vënë në rrezik të dhënat personale dhe financiare të qytetarëve.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike pranë Policisë së Shtetit ka kërkuar kujdes nga qytetarët, pasi këto mesazhe dërgohen në formë SMS-je dhe paraqiten si njoftime për pako të padorëzuara.
Në përmbajtje përfshihet zakonisht një link, ku qytetarëve u kërkohet të japin të dhëna personale apo bankare.
Edhe Posta Shqiptare ka reaguar, duke sqaruar se këto mesazhe nuk kanë lidhje me shërbimet e saj dhe se emri i institucionit po përdoret në mënyrë të paligjshme për qëllime mashtrimi.
Bëhet fjalë për një formë mashtrimi të njohur si “smishing”, ku përmes mesazheve të rreme synohet marrja e informacionit të ndjeshëm. Pasi klikohet linku, përdoruesit drejtohen në faqe të rreme ku u kërkohet të plotësojnë të dhënat e kartës apo informacione personale.
Ekspertët e fushës paralajmërojnë se raste të tilla janë në rritje dhe po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara. Rreziqet përfshijnë humbje parash, vjedhje identiteti, komprometim të llogarive dhe në disa raste edhe instalim programesh të dëmshme në pajisje.
Sipas tyre, një nga arsyet pse përdoret emri i postës lidhet me faktin që shumica e qytetarëve kanë ose presin dërgesa, çka e bën mesazhin më të besueshëm. Në të njëjtën kohë, mungesa e njohurive digjitale dhe përdorimi i shpejtë i telefonit rrisin mundësinë që qytetarët të bien pre e mashtrimit.
Autoritetet këshillojnë që të mos hapen linke të dyshimta dhe të mos jepen të dhëna personale përmes SMS-ve. Posta Shqiptare bën të ditur se komunikimet zyrtare realizohen vetëm përmes kanaleve të verifikuara dhe jo përmes mesazheve që kërkojnë pagesa apo informacion personal.






