Vangjel Tavo është betuar këtë të hënë si kryetar i Bashkisë së Himarës. Ceremonia e marrjes së detyrës ka nisur në orën 10:00, duke vijuar më pas me kryerjen e betimit të kryebashkiakut Tavo. Pas betimit, Tavo ka thënë se nuk do të jetë një qytetar i parë, por do të jetë një shërbëtor i parë i Himarës dhe do të punojë për përmirësimin e jetës së banorëve të kësaj bashkie.
Vangjel Tavo: I privilegjuar të qëndroj para jush si kryetar i Bashkisë së Himarës, i nderuar që do ju shërbej banorëve në çdo njësi e fshat. Unë betohem se nuk do të jem qytetar i parë, por shërbëtor i parë i Himarës. Do të punoj në të mirë të banorëve për përmirësimin e jetës. Do jetë një qendër komunitare që kujdeset për nevojat e banorëve. Destinancioni më i mrekullueshëm, mbi të gjitha një zonë e banueshme për banorët, jo vetëm për Himarën, por të gjithë familjarët që të jetojnë më mirë. Kjo bashki do të jetë e juaja. Zyra ime do të jetë e hapur për banorët e thjeshtë. Do të jenë të hapura dyert dhe për ide për secilin që kërkon të kontribuojë në të mirën e Himarës.
Më tej, Tavo ka ftuar të gjithë pa dallim politik të japin kontributin e tyre në interes të Himarës, teksa ka shtuar se dyert e kësaj bashkie janë të mbyllura ndaj paligjshmërisë apo korrupsionit.
Vangjel Tavo: Himariotët që jetojnë jashtë vendit, përfaqësitë e huaja, janë të mirëpritura të vijnë dhe të japin ndikimin e tyre, dyert e hapura për këdo që i shërben interesit të Himarës. Të mbyllura ndaj paligjshmërisë apo korrupsionit, himariotët meritojnë një bashki që ju ofron zgjidhje dhe jo që ju shkakton probleme apo jua vështirëson jetesën. Meritojnë një institucion që të gjejnë mbështetje. Ftoj këshillin pa dallim politik të punojmë së bashku për shërbim ndaj Himarës. E mira e Himarës kapërcen çdo bindje politike. E mira e Himarës, e mira e së ardhmes.
Tavo u zgjodh kryetari i ri i bashkisë Himarë, gjatë zgjedhjeve të pjesshme që u mbajtën në këtë bashki pas dënimit me burg të Fredi Belerit.
Vangjel Tavo i PS fitoi me 58,62% të votave, ndërsa rivali politik i tij, Petro Gjikuria i koalicionit “Bashkë Fitojmë” mori 41,38% të votave.
Zgjedhjet e pjesshme u zhvilluan më 4 Gusht në 36 qendra votimi të Bashkisë Himarë./tvklan.al