Një psikolog dhe dy infermiere i janë shtuar investigimeve mbi vdekjen e ish-yllit të futbollit Diego Armando Maradona.

Carlos Díaz, psikologu i Maradonës ka thënë për CNN se puna e tij për Diegon konsistonte në ndihmën që ai i jepte atij për të lënë pas varësitë që ai kishte. Ai shtoi se dëshira e tij ishte të vazhdonte sërish të punonte pranë tij dhe se nuk e ndjen veten aspak fajtor për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit.

Gisela Madrid është një prej infermiereve që po investigohen për këtë ҫështje. Megjithatë ajo hedh poshtë akuzat për shpërdorim të detyrës. Avokati ruajti pafajësinë e saj duke u shprehur se klientja e saj nuk mban përgjegjësi përsa i përket kësaj ҫështjeje.

Këtyre u shtohen dhe neurologu Leopoldo Luque dhe psikiatrja Agustina Cosachov. Këta te fundit kanë qenë të parët që u investiguan nga Zyra Prokurorale e Përgjithshme në San Isidro, një prej rrethinave të Buenos Aires ku Maradona jetonte.

Maradona, i cili ndërroi jetë në moshën 60-vjeҫare vlerësohet si një nga lojtarët më të mëdhenj të historisë së futbollit. Pas vdekjes së tij, presidenti i Argjentinës Alberto Fernandez, shpalli tre ditë zije kombëtare.

Top Channel