Gjykata e Vlorës ka shpallur të pafajshëm pesë efektivët e policisë të akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me ngjarjen tragjike ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdiaj.

Sot u mbajt seanca e fundit e një procesi trevjeçar gjyqësor ndaj grupit të pesë efektivëve, të cilët u përballën me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Në seancën përfundimtare, prokurorja kërkoi dënimin e secilit prej tyre me nga 1 vit e 6 muaj burg, por Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë i shpalli të gjithë të pafajshëm.Gjyshi i së ndjerës, Ismet Avdiaj, mbajti fjalën e tij në sallën e gjyqit. Pas përfundimit të seancës, ai u shpreh për News24 se ndjehet thellësisht i zhgënjyer nga drejtësia. Sipas tij, të gjitha pretendimet që ai paraqiti gjatë procesit nuk u morën parasysh, dhe vendimi i gjykatës për të shpallur të pafajshëm efektivët e akuzuar është zhgënjyes dhe i padrejtë.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht 2022 në plazhin e Potamit, në Himarë. Jonada Avdiaj, vetëm 7 vjeç, humbi jetën tragjikisht pasi u godit për vdekje nga një gomone e drejtuar nga polici Arjan Tase, teksa ajo po lahej në breg të detit së bashku me babain e saj.

Gjykata e Vlorës e dënoi Arjan Tasen me 18 vite burg për “vrasje me dashje”, në bazë të nenit 76 të Kodit Penal. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, ai përfitoi ulje të një të tretës së dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 12 vite burgim.

Ndërkohë, veçmas u gjykua edhe çështja ndaj tetë efektivëve të tjerë, të akuzuar për shpërdorim detyre. Prokuroria e Vlorës i cilësoi ata përgjegjës për mungesën e masave të sigurisë në plazhe gjatë sezonit turistik, çka sipas saj, kontribuoi në ngjarjen tragjike. Por më 16 korrik 2025, pas tri viteve proces gjyqësor, Gjykata e Vlorës vendosi t’i shpallë të gjithë të pafajshëm.