“Brenda 48 orësh do të jap shpjegime për vdekjen e Lear Kurtit”. Kështu u përgjigj drejtori i policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në mbledhjen për Komisionin e Sigurisë Kombëtare pasi opozita kërkonte përgjigje për shkaqet e vdekjes së 32-vjeçarit.

“Brenda 48 orësh do të jap shpjegime për vdekjen e Lear Kurtit”. Kështu u përgjigj drejtori i policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në mbledhjen për Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Aty pati debate të ashpra që në nisje pasi opozita kërkonte përgjigje për shkaqet e vdekjes së 32-vjeçarit.

Ishte deputeti i PD, Ferdinand Xhaferraj, i cili i kërkoi që të mos e linin këtë cështje të kalonte sikur nuk kishte ndodhur asgjë pasi ishte shumë e rëndë. Ndërsa drejtori i policisë së Shtetit tha se nuk do të jepte përgjigje vetëm për Lear Kurtin, por edhe për Klodian Rashën. Më pas kërkoi që të respektohet gjaku i policëve ndërsa theksoi se jo çdo gjë që qarkullon në media është e vërtetë.

“Jam i gatshëm të paraqitem brenda 48 orëve për të dhënë shpjegime për Kurtin. Së dyti edhe për çështjen Rasha, jap të gjitha shpjegimet e duhura. Do ju lutesha, që jo çdo gjë që mediatikisht shpërndahet për opinionin, janë të vërteta, reale dhe lidhen me hetimet e drejtësisë. Na respektoni mundin, djersën e gjakun e organizatës që jep për republikën e Shqipërisë”, tha Rrumbullaku.

Ndër të tjera, deputeti Xhemal Qefalia u shpreh se çështja e Lear Kurtit e kërkuar nga opozita për t’u diskutuar në mbledhjen e sotme nuk është në rend dite. Nuk mungoi dhe ironia e tij për kohën kur pushteti drejtohej nga PD.

“Sot kemi fatin që kreu i policisë vjen vet, jo si në kohën tuaj, kur vinte zv drejtori apo një drejtor drejtorie në rastin më të mirë. Sot kemi tjetër temë, e thërrasim prapë”, tha Qefalia.

Pavarësisht debateve, u vendos që të vijohet me rendin e ditës për të diskutuar rreth sulmeve kibernetike ndaj faqeve online dhe sistemit TIMS.

Sipas ekspertizës, Lear Kurti, ndërroi jetë mbrëmjen e 19 tetorit nga arresti kardiak që iu shkaktua si pasojë e overdozës, pasi gëlltiti qesen me kokainë, veprim që mendohet ta ketë bërë nga frika se mos e kapte policia me drogë.P

as mbledhjes së Komisionit të Sigurisë Kombëtare, deputeti demokrat Ervin Salianji u shpreh se nuk kishte ndonjë sekret të madh pasi cdo gjë është zbuluar nga hakerat iranianë. Sa i përket sulmeve kibernetike, thotë se sistemet në Shqipëri nuk kanë mbrojtje, ndonëse janë shpenzuar miliona para.

“Pretendimi i policisë është se më shumë se 100 mijë emra të publikuar nga hakerat është material i bashkuar nga hakeruesit është pak i dyshimtë. Ashtu siç e kemi thënë në të shkuarën, s’kanë mbrojtje sistemet në Shqipëri, ndaj kanë shkuar në këtë derexhe. Nuk ka siguri për mbrojtjen e të dhënave ndonëse janë shpenzuar miliona para.

Një ndër shqetësimet e mia është se ka cenim të besueshmërisë për policinë e shtetit. Sipas tyre të dhënat e TIMS nuk janë sensitive ndërsa për ne jo vetëm cenojnë besimin por edhe privatësinë e qytetarëve. Ne nuk e dimë ende sot deri në cilin nivel ka shkuar hakerimi dhe si kanë hyrë hakerat në një sistem të mbyllur dhe si janë shpenzuar më shumë se 200 milionë euro. Të shpresojmë të mos ketë të dhëna të tjera. Nuk mendoj se ka ndonjë sekret të madh sot kur gjithçka e kanë nxjerrë hakeruesit iranianë.

Të dhënat e publikuara para 25 prillit që u quajtën të patronazhistëve, nuk e dimë sa kanë shërbyer ato për të penetruar në të tjerat”, tha Salianji.