Policia e Tiranës ka thelluar hetimet për vdekjen misterioze të 23-vjeçares Evgjeni Baxho, pak ditë më parë, ku fillimisht u tha se humbi jetën nga një infeksion në dhëmballë.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanËeb” se ditën e sotme në polici është paraqitur halla e 23-vjecares, e cila ka dorëzuar një laptop, që përdorej nga mbesa e saj dhe që para disa ditësh, para se të vdiste, ajo e kishte lënë në shtëpinë e hallës.
Po ashtu, halla ka dorëzuar dhe një listë me emrat e miqve të mbesës, që të pyeten nëse kanë dijeni për diçka që mund të ketë lidhje me shkakun e vdekjes së të resë.
Ekspertët mjeko-ligjor ende nuk kanë dalë në një konkluzion në lidhje me shkakun e vdekjes së 23-vjeçares. Paraprakisht, analizat kanë nxjerrë se 23-vjecarja ka pasur komplikacione në mushkëri. Po ashtu, ajo ka pasur edhe një infeksion të rëndë në dhëmballë, për të cilin po mjekohej me antibiotikë prej 10 ditësh.
Policia ka sekuestruar në banesën e saj disa medikamente dhe receta të lëshuara nga mjekë. Ndërkohë, pritet raporti përfundimtar mjeko-ligjor për të zbuluar shkakun e vdekjes së saj.