Pesëdhjetë e pesë marinarë kinezë dyshohet se kanë humbur jetën pasi nëndetësja e tyre është goditur me barriera të forta, të vendosur për të kapur nëndetëset britanike dhe amerikane në Detin e Verdhë.Sipas një raporti sekret në Mbretërinë e Bashkuar marinarët dyshohet se humbën jetën pas një dështimi fatal të sistemeve të oksigjenit të nëndetëses që helmoi ekuipazhin, shkruan “Daily Mail”.

Mes viktimave është edhe kapiteni i nëndetëses së Marinës Kineze PLA ‘093-417’si dhe 21 marinarë të tjerë. Zyrtarisht, Kina e ka mohuar incidentin.

“Gjithashtu Pekini refuzoi të kërkojë ndihmë ndërkombëtare për nëndetësen e tij të goditur”, shkruan “Daily Mail”.

“Incidenti ka ndodhur në orën 08.12 lokale me pasojë vdekjen e 55 anëtarëve të ekuipazhit: 22 oficerë, 7 kadetë oficerë, 9 oficerë të vegjël, 17 marinarë. Mes të vdekurve edhe kapiteni, kolonel Xue Yong-Peng. Ne dyshojmë se vdekja është shkaktuar nga hipoksia për shkak të një defekti të sistemit në nëndetëse. Nëndetësja goditi një zinxhir dhe pengesë ankorimi të përdorur nga Marina Kineze për të bllokuar nëndetëset e SHBA-së dhe aleatëve. Kjo rezultoi në dështime të sistemeve. Sistemi i oksigjenit në bord e helmoi ekuipazhin pas një dështimi katastrofik”, shkruan tabloidi anglez, referuar informacionit nga MB.

Pekini i ka hedhur poshtë spekulimet duke i cilësuar si ‘plotësisht të rremë’. Sakaq, raporti i Mbretërisë së Bashkuar, i cili bazohet në inteligjencën e mbrojtjes, mbahet në një klasifikim të lartë.