Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u paraqit sërish në Gjykatën e Posaçme GJKKO mesditën e të mërkurës ku do të zhvillohet seanca lidhur kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë.

Seanca e nisur një ditë më parë në Apelin e GJKKO zgjati mbi 7 orë dhe në përfundim u shty për ditën e sotme pasi gjyqtari i çështjes kërkoi kohë të njihet me provat e reja të sjella nga dy prokurorët e SPAK Olsi Dado dhe Altin Dumani.

Ende nuk dihen se për çfarë provash bëhet fjalë. Seanca do të nisë në orën 12:30 nga ku do t’i jepet fjala dhe kryebashkiakut Veliaj i cili një ditë më parë nuk arriti të shprehej.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt të këtij viti me urdhër të SPAK për disa akuza si shpërdorim detyre, korrupsion, mosdeklarim i pasurisë dhe pastrim parash.

Veliaj është shprehur se është i pafajshëm dhe se sipas tij arrestimi është i paligjshëm, me qëllim për ta goditur politikisht.