Drejtuesi politik i PS për Tiranën, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me të rinj në Kavajë, ku nivelin e kandidatëve të propozuar nga PD-LSI për qytetin i quajti fyerje, figura të konsumuara dhe që nuk kanë bërë asnjë punë kur ishin në qeveri.

I kemi parë çfarë kanë pasur në dorë dhe nuk kanë bërë asnjë punë. E quajmë fyerje për Kavajën kur na sjellin më të lodhurin e partisë më të lodhur sot në Shqipëri, Petrit Vasilin. Nuk ka njeri që të mbajë mend një punë që të ketë bërë. U mundën në Tiranë dhe thonë, të paktën e çojmë në Kavajë se ata nuk e njohin. Shikoni palën tjetër! Gridën e mundi Durrësi, pastaj edhe Tirana e nxorri me rezultatin më të dobët, tani e kanë sjellë në Kavajë. Ata sjellin më të dobëtit, ne sjellim më të mirët. Ata sjellin më të lodhurit, ne sjellim më të shkathëtit. Ata sjellin më të konsumuarit, ne sjellim ata që kanë energji për të dhënë për Kavajën, për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë. Kjo është diferenca,” vuri në dukje Veliaj.

Arsyeja kryesore që sipas Veliajt nuk duhet besuar te ndryshimi që PD-LSI trumbetojnë gjatë kësaj fushate, është fakti i thjeshtë se ata nuk besojnë te Shqipëria.

“Kanë hapur gardërobën e politikës së vjetër dhe të gjitha rraqet e 30 viteve të fundit na i sjellin si ndryshim. Unë kam jetuar në Amerikë, padyshim mund të kisha qëndruar atje, por e kam pasur pasion të punoj këtu dhe vendosa të kthehem e të shërbej këtu. Etjeni mbaroi Harvardin, mund të kishte qëndruar në Amerikë, por u kthye këtu sepse njeriu beson te gjëja që shërben. Kurse Lulzim Basha e ka familjen me shtetësi holandeze. Ilir Metën e ka të tijin, që po jep pasaportat shqiptare 5 lekë tufa, si majdanoz, e ka shumë kollaj që për një ditë, me një firmë, ta bëjë gruan me nënshtetësi shqiptare. Por ata nuk besojnë te Shqipëria. Kur ty nuk të beson familja jote, fëmijët e tu dhe gruaja jote, çfarë pret nga fëmijët e shqiptarëve?”, deklaroi Veliaj.

“Sot kriza më e madhe në Shqipëri është rindërtimi dhe vaksina, – shtoi Veliaj – por ata nuk thonë asnjë rresht për tërmetin dhe pandeminë. Për sa kohë që as ata vetë nuk e besojnë që do fitojnë, na lind e drejta që edhe çunave dhe gocave demokratë t’u themi, “ejani te shtëpia e fitimtarëve, ejani te ata që i çojnë punët deri në fund”, shtoi Veliaj.

Top Channel