Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Odile Renaud-Basso, me të cilën diskutoi mbi nismat për qytetet e gjelbërta dhe investimin e rëndësishëm në Ujësjellës Kanalizime Tiranë, për furnizimin e kryeqytetit me 24 orë ujë të pijshëm.
Bashkia e Tiranës ka hartuar Planin e Veprimit të Qytetit të Gjelbër në vitin 2018 në kuadër të Programit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Qytetet e Gjelbërta. Falë miradministrimit si ndërmarrje, BERZH alokoi dhe një kredi në vitin 2018 për Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, me qëllim zgjerimin e kapacitetit të Impiantit të Trajtimit të Ujit Bovillë si dhe për ndërtimin e një tubacioni të ri.