Me rastin e festës së Pashkës, Bashkia e Tiranës shtroi një drekë për familjet dhe njerëzit në nevojë, frekuentues te qendrës sociale “Të qëndrojmë së bashku” në Kombinat. Pasi shërbeu drekën për të pranishmit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se është i lumtur që ambienti i ri i qendrës sociale ofron shërbimet dhe kushtet e duhura për këdo që ka nevojë. Ai shtoi se zemra e qytetit është pikërisht aty ku janë njerëzit.
“Tani kemi një hapësirë të re, shumë më të bollshme, më të ndriçuar, më higjenike se sa ajo që kishim më parë. Kemi shtuar edhe shërbimet, ofrojmë edhe shërbime për fëmijët me nevoja speciale. Kemi disa nga shërbimet tona tradicionale për të moshuarit, kemi shërbimin e mencës, por tani kemi më shumë staf dhe unë besoj se i kemi kthyer dinjitetin shërbimit social, jo si diçka që ndodh në periferi të qytetit tonë, por diçka që ndodh në zemër të tij”, tha Veliaj
Duke uruar festën e Pashkës, kreu i Bashkisë tha se do ketë më shumë qendra sociale si kjo e Kombinatit, që do jenë në shërbim të personave dhe familjeve në nevojë.
“Duam që këtë punë të mirë ta transmetojmë në qendra të tjera të Tiranës. Dua që kjo qendër të jetë një etalon i asaj që duam të bëjmë në të gjitha lagjet e Tiranës dhe i asaj që ne ndoshta, duhet ta transmetojmë edhe në bashki të tjera si model. Ju uroj të gjithëve vetëm mbarësi, vetëm të mira. Ju falënderoj shumë për dashurinë që më jepni”, përfundoi kryebashkiaku.