Është vetëdorëzuar në Policinë e Durrësit kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla.
Ky i fundit u vetëdorëzua para autoriteteve vetëm pak orë pasi Gjykata e Apelit të Posaçëm e dënoi me një vit burgim, pasi u gjet fajtor për korrupsion në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2022.
Gjithashtu, në vendimin e shpallur këtë të hënë nga Apeli i Posaçëm, Kryebashkiaku u dënua edhe me pesë vjet dënim plotësues për të mos u përfshirë në funksione publike. Blerim Xhamani dhe Ndriçim Tafxhafa u dënuan me një vit burg, ndërsa Isuf Toskut iu konvertua dënimi në shërbim prove.
Sipas hetimit të prokurorit Edvin Kondili, kryebashkiaku Memolla ndërhyri te punonjësit e OSHEE qe mos të ndërpritej energjia elektrike në këmbim të votave për zgjedhjet qe u mbajtën në 6 mars 2022.
Memolla nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa vendimi i Apelit të Posaçëm ishte i formës së prerë dhe i zbatueshëm nga policia për ta arrestuar, nëse kryebashkiaku socialist nuk do të ishte vetëdorëzuar.






