Fieri ka shënuar një ulje të numrit të lindshmërisë ku vetëm për vitin 2022, numri i foshnjave të ardhura në jetë është 456, rreth 118 lindje më pak në krahasim me vitin e kaluar.
118 lindje më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, janë regjistruar vetëm në 6 mujorin e parë të vitit 2022 në maternitetin e Fierit, duke shënuar një rënie të lindshmërisë së foshnjave në këtë qytet. Për mjeken obstetre në maternitetin e Fierit Teuta Valle, çdo muaj vijnë në jetë jo më shumë se 15 foshnja.
“Nga janari deri më sot janë 456 lindje, ndërsa më 6 mujorin e parë të 2021 janë 574 lindje, pra, ka një diferencë rreth 118 lindje më pak se 6 mujorin e parë të vitit 2021. Çdo muaj lindin 15 foshnja nga 300-400 foshnja që lindnin çdo muaj në vitet 1990-1995 ku regjistroheshin 4500–5000 lindje ne vit”, thotë ajo.
Mjekja Valle tregon se shkaqet kryesore që kanë ndikuar në tkurrjen e numrit të popullsisë janë sociale, ekonomike dhe emigracioni i të rinjve.
“Arsyet e uljes së lindshmërisë janë faktorë të shumtë, planifikimi familjar, lëvizja e grave nga një qytet në tjetrin, apo dëshirat e grave për të lindur në Tiranë apo ku ato duan të lindin në shtet apo në privat. Ka patur lindje edhe me operacione, të cilat kapin një përqindje më shumë se 30 përqind, të cilat janë kërkesa të gruas shtatëzanë”, shprehet mjekja Teuta Valle.
Sipas treguesve statistikorë, në maternitetin e Fierit prej fillimit të vitit 2022, nga muaji janar deri në muajin qershor kanë lindur 456 foshnja, duke pësuar ulje në krahasim me vitin e kaluar, ku numri i lindjeve arrinte në 574 .