Të paktën 9 persona humbën jetën dhe katër të tjerë u plagosën sot, kur një dron rus shënjestroi një autobus civilësh në rajonin verior të Sumy në Ukrainë, sipas autoriteteve lokale.

Në një deklaratë në Telegram, administrata ushtarake e rajonit të Sumy e quajti incidentin një “sulm cinik” ndaj civilëve. “Fatkeqësisht, si pasojë e këtij sulmi të pashembullt nga trupat ruse ndaj një autobusi civil, pati viktima”, thuhej në deklaratë.

Autobusi, i cili ishte në lëvizje drejt qytetit Sumy dhe u sulmua pranë qytetit Bilopillya, ishte shënjestruar nga forcat ruse, sipas administratës ushtarake.

Shpërthimi ndodhi disa orë pas përfundimit të bisedimeve të para të drejtpërdrejta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës në pothuajse tre vjet, që u zhvilluan të premten në Stamboll, por pa ndonjë përparim të dukshëm.

Të dyja palët ranë dakord për një shkëmbim të të burgosurve në shkallë të gjerë, por nuk arritën marrëveshje për armëpushim. Ata gjithashtu njoftuan se do të angazhoheshin për të shkëmbyer propozime për një armëpushim të mundshëm në të ardhmen

Pas bisedimeve, Kievi deklaroi se po kërkonte një “armëpushim të pakushtëzuar” për të ndaluar konfliktin, i cili ka shkatërruar pjesën më të madhe të Ukrainës dhe ka detyruar miliona njerëz të braktisin shtëpitë e tyre.