Operatorët turistikë të bregdetit të Durrësit-Golemit janë të vetmit që nuk po ankohen për ecurinë e aktivitetet këtë sezon.

Në sportelin e një hoteli, pranë Shkëmbit të Kavajës, një çift i ri po bën ‘check-in’. Punonjësja i shpjegon se janë të përfshira të gjitha vaktet dhe pije pa limit. Kur e pyesim nëse ka dhoma bosh, sipërmarrësja pohon se edhe mund të gjejnë, po përgjithësisht hoteli është i zënë.

Çmimi për një person është 65 euro në ditë, me të gjitha vaktet e përfshira (all inclusive) dhe pije pa limit gjatë gjithë ditës, parkim e çadra. “Jemi biznes familjar”, thotë ajo, nëse i rri punës në kokë dhe mban çmime të mira, nuk ka pse ankohesh.

Më tutje,  në një tjetër hotel, kamarieri të thotë që nuk ka asnjë dhomë të lirë. Edhe te hotel ngjitur, ku dhoma për dy persona kushton 65 euro, me mëngjes, nuk ka asnjë vend të lirë.

Çmimet gjatë restoranteve të shëtitores nuk kanë ndryshuar shumë në krahasim me vitin e kaluar, ose kanë shënuar rritje të lehtë me 30-50 lekë për pjatë. Një picë kushton nga 300-700 lekë, sallata nga 250 lekë, pjatat me mish e peshk fillojnë nga 800-900 lekë, risotto nga 500 lekë.

Edhe në hotelet më luksoze sërish nuk gjen vende. Sporteli i një tjetër hoteli  është i mbushur me turistë që presin radhën për ‘check in’. Punonjësi në sportel thotë se nuk ka asnjë dhomë të lirë për momentin. Çmimi është 80 euro nata dhoma për dy persona, me mëngjes të përfshirë.

Është ora e darkës dhe salla e një hoteli tjetër, që vitet e fundit ka zgjeruar ndjeshëm kapacitet është plot me turistë, që kryejnë vetëshërbim. Në sportel të thonë se për momentin nuk ka asnjë dhomë bosh, por mund të lirohen pas disa ditësh. Çmimi është 80 euro për person/ditë, me katër vakte të përfshira dhe pije pa limit. Në oborr ka makina nga e gjithë Europa, por mbizotërojnë targat nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Ka dhe shumë polakë, të thonë në sportel, që vijnë me charter-a.

Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, thotë se nga vlerësimet e tyre për fundin e korrikut dhe fillimin e gushtit, bregdeti i Durrësi-Golemit është i vetmi që ka më shumë pushues në njësitë akomoduese në krahasim me vitin e kaluar. “Si kapacitet i shfrytëzimit të hoteleve dhe plazheve, përveç Durrësit, të tjerët janë më keq se vitin e kaluar”.

Ai thotë se Bregdeti Durrës- Kavajë ka një zënie të kapaciteteve mbi 90%.

Pas Durrësit, më mirë është Velipoja, me 90%.

Bregdeti i Sarandes është mbi 70%; Bregdeti i Vlores 75-80%

Më dobët, sipas tij, këtë vit paraqitet bregdeti i Himarës, që ka një zënie të kapaciteteve prej 55-60%.

Dobët rezulton dhe Shëngjini këtë vit, ku Kasa thotë se zënia e kapaciteteve është 70-75%.

Modeli i ri i zhvillimit të turizmit në qytetin bregdetar të Durrësit, që në fakt ishte i pari që u godit nga betonizimi masiv, tashmë duket se e ka gjetur rrugën e suksesit.

Vitet e fundit, ndërtimi i hoteleve me standard dhe kapacitete, që futën shërbimin të gjitha të përfshira (pas rritjes së kërkesës dhe parablerjeve nga agjencitë e huaja turistike), shndërrimi i pallateve të vijës së parë kryesisht në hotele apo apartamente të menaxhuara, çmimet konkurruese, hapësira bregdetare dhe shëtitorja, kanë sjellë vlerë të shtuar për zonën dhe kanë ndikuar në rritjen e punësimit.

Në kontrast, qeveria nuk ka arritur të mbështesë këtë zhvillim as me ndërtimin e një infrastrukturë minimale, që ende pas shumë vitesh nuk ka përfunduar.