Një diplomat i lartë rus beson se një luftë e mundshme mes SHBA dhe Kinës do të “shfaroste të gjithë njerëzimin”. Shqetësimet në lidhje me tensionet midis Pekinit dhe Uashingtonit janë përshkallëzuar këtë vit, ndërsa Kina e ka rritur praninë e saj ushtarake në Detin e Kinës Jugore, pranë Tajvanit.

Kina konsideron se SHBA po përpiqet ta thellojë marrëdhënien e vet jozyrtare me Tajvanin, e kjo e mërzit. “Nëse dikush do të guxonte ta ndante Tajvanin nga Kina, ushtria çlirimtare e popullit do të kalonte në veprim për të luftuar e për të mbrojtur me çdo kusht unitetin dhe integritetin territorial të vendit”- tha më herët një zëdhënës i Ministrisë kineze të Mbrojtjes.

Nga ana tjetër Admirali Philip Davidson, një oficer i lartë ushtarak amerikan në Azi, në mars tha se Kina mund të pushtojë Tajvanin brenda gjashtë viteve të ardhshme dhe kjo ka ngritur pyetjen se si mund të reagojë Rusia në rastin e ndonjë konflikti të armatosur. Në një intervistë me mediat shtetërore kineze ambasadori rus në Kinë, Andrey Denisov u pyet se cilën anë do të zinte vendi i tij.

“Nuk do të ketë përgjigje për këtë pyetje, sepse jam i bindur se nuk do të ketë konflikt të armatosur midis Kinës dhe SHBA-së, ashtu si nuk do të ketë konflikt të armatosur midis Rusisë dhe SHBA-së, sepse një konflikt i tillë do të shfaroste të gjithë njerëzimin dhe atëherë nuk do të kishte kuptim se cilën anë mban”– tha ai.

Fax web