Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurtin – njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës – për një tjetër mandat në krye të Qeverisë.

Kurti është propozuar me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, të mbajtur të dielën.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë duke fituar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës – të pamjaftueshme për të formuar vetë Qeverinë.

Në fjalimin e tij, Kurti i ka falënderuar anëtarët e partisë për besimin e dhënë, dhe e ka shpalour programin e asaj që e ka quajtur qeverisje të re.

Mes tjerash, Kurti e ka përmendur synimin e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.

LVV e ka marrë vendimin për propozim të Kurtit vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime për zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Masa do të jetë në fuqi nga 5-30 shtator. Ajo është kritikuar nga LVV-ja, e cila ka bërë thirrje të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re.

Teksa e ka propozuar Kurtin, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, i ka kritikuar dhe fajësuar partitë tjera të mëdha shqiptare për krizën institucionale.

“Sivjet e pamë përpjekjen më të rrezikshme për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor, me apo ndoshta pa vetëdije, partitë politike që e kanë shpallur veten kundërshtare të Lëvizjes Vetëvendosje qysh prej certifikimit të zgjedhjeve, janë përpjekur ta thonë vetëm një gjë, vetëm një votë më pak se 50 për qind dhe shteti mbetet pa Kuvend”.

Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendim bazuar në kërkesën e deputetëve të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kjo parti beson se janë kryer shkelje kushtetuese pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha – nga LVV-ja – i ka hedhur në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga minoriteti joserb dhe ai serb.