Nga foltorja re Kuvendit kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri thirrje për rëndësinë e vettingut në politikë. Kreu i demokratëve theksoi se PD-në nuk do ta ndalë askush për të pastruar politikën, që sipas tij do t’i japë njëherë e mirë fund tranzicionit.

Basha tha se as nuk do t’i pengojnë as ata që bëjnë opozitën e opozitës,duke iu referuar kritikëve të tij të rreshtuar me Berishën.

“Megjithatë unë e di që nuk është e mjaftueshme të flasësh për korrupsionin dhe të denoncosh atë. Ai duhet mposhtur. Ndaj 5 ditë më parë, Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë amendamentet kushtetuese në lidhje me 3 prioritete absolute për të nxjerrë Shqipërinë dhe shqiptarët nga depresioni, nga kriza dhe gjendja e mjerueshme, produkt i tetë viteve të keqqeverisjes, të korrupsionit dhe të shkatërrimit të çdo institucioni, duke përfshirë edhe institucionin e votës së lirë.

Këto tre çështje kryesore që pasqyrohen në amendamentet tona kushtetuese kanë të bëjnë me Reformën Zgjedhore, në të gjitha aspektet e saj, për ta kthyer Shqipërinë në shinat e legjitimitetit dhe demokracisë.

Me Reformën Territoriale, për të zhbërë dështimin katastrofik të reformës elektorale, që u hoqi shqiptarëve 25 vite progres të ngadaltë në vendosjen e decentralizimit të pushtetit lokal, duke e larguar shërbimin nga qytetarët.

Ne e kemi hedhur hapin e parë, jam i bindur se debati nuk do të mungojë. Kundërshtarët e e egër janë ata që rrezikojnë qëndrimin në këtë sallë. Por kjo nuk do të na pengojë. Nuk do të na pengojnë as ata që opozitën e opozitës e kanë sport kombëtar, që për tre dekada kanë lëshuar rrëmuze. Asgjë nga këto nuk ka dhe nuk do të ketë pikën e rëndësisë për mua dhe PD. Këto nuk janë prioritete të PD, por të qytetarëve që duan t’i japin fund lidhjes së politikës me krimin. Ndaj duhet që ky parlament të mbajë një qëndrim,” tha Basha. g.v/abcnews.al