
Ky është momenti kur Fabjol Hysi u dhunua barbarisht nga dy të rinj pasditen e 20 marsit pranë xhamisë së Lushnjës.
Dy agresorët e sulmuan 43-vjeçarin me aftësi të kufizuara në të dëgjuar dhe në të folur në mes të rrugës, duke e goditur me grushte, shqelma dhe gurë. Për pasojë, Hysi mori dëmtime të rënda në kokë dhe trup dhe prej një jave ndodhet i shtruar në spitalin e Traumës.
Dy autorët e kësaj ngjarjeje janë identifikuar si Irdi Nasufi 20 vjeç dhe Enea Korreshi 23-vjeç. Gjykata e Fierit vendosi të linte në burg Nasufin dhe në masën detyrim paraqitje Korreshin, të cilët kanë pranuar fajin, por kanë deklaruar se ushtruan dhunë ndaj 43-vjeçarit pasi sipas tyre ai i ka ofenduar.
Megjithatë, dëshmia e tyre është marrë me rezerva nga hetuesit për shkak se Fabjol Hysi nuk është në gjendje të flasë apo të dëgjojë.
Në dorë të prokurorisë janë pamjet filmike nga kamerat e sigurisë, ku duken dy agresorët që e ndjekin nga pas 43-vjeçarin në mes të rrugës derisa e rrëzojnë në tokë, duke e goditur.
Përpjekja e tij për t’u mbrojtur ishte e kotë, pasi dy autorët e lanë pa ndjenja në rrugë dhe u larguan me vrap, në një zonë tepër të frekuentuar.
Prokuroria ndërkohë vijon hetimet për këtë ngjarje të rëndë, ndërsa policia e Fierit, përmes një reagimi ka mohuar akuzat se ka tentuar të fshehë ngjarjen.
