
Mediat në Kosovë kanë publikuar pamjet brutale nga rrahja e multimilionerit Ylber Blakaj në qytetin e Istogut. Ngjarja ka ndodhur më datë 2 Prill dhe për të janë arrestuar dy persona, të cilët rezultojnë dhe nga pamjet se janë autor të sulmit.
Naser Rraci dhe Leutrim Musliu janë arrestuar për rrahjen e biznesmenit. Ata shihen edhe në video se si kanë hyrë brenda një lokali ku ishte duke qëndruar Ylber Blakaj dhe e sulmojnë fillimisht me grushte e pastaj me armë e godasin pas kokës.
Sipas burimeve të Insajderit, dyshohet se sulmi ndaj biznesmenit Blakaj ndërlidhej me një konflikt për një prone, megjithatë do të jetë Prokuroria e Pejës ajo që do të zbardhë shkakun dhe rrethanat e vërteta të ngjarjes. Policia e Kosovës ka njoftuar se tashmë dy personat e dyshuar për rrahjen e biznesmenit Ylber Blakaj ndodhen prapa hekurave. Pas hetimeve të zhvilluara, i dyshuari Leotrim Mulsiu është arrestuar më 04.04.2025, ndërsa i dyshuari i dytë, Naser Rraci është arrestuar më 07.04.2025.
Sipas Policisë, më 02.04.2025, rreth orës 19:00 është njoftuar se në një lokal në Istog kishte pasur të shtëna me armë zjarri dhe një person ishte lënduar. Menjëherë është shkuar në vendngjarje dhe është konstatuar biznesmeni Ylber Blakaj, i dëmtuar por jo me plagë nga arma e zjarrit.
Ai është goditur me qytën e pistoletës dhe si pasojë ka marr lëndime serioze. Në vendin e ngjarjes, Policia e Kosovës ka sqaruar se ka gjetur gjurmë të gjakut në dyshemenë e lokalit dhe një xham të dëmtuar nga shkrepja e armës.
