Kleviol Ahmeti, reperi i njohur me emrin “Cllevio Serbiano” është arrestuar nga Policia. Mësohet se pas sherrit të djeshëm në lokalin e reperit Rigels Rajku (Noizy), Policia e Lushnjes ka shkuar në shtëpinë e 36 vjeçarit dhe e ka arrestuar.
“Pas informacioneve të marra në rrugë policore se shtetasi K. A. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Pas kontrolleve nga Policia, shtetasi K. A. është lokalizuar në lagjen “Çlirimi”, në qytetin e Lushnjës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Lushnjes.
Kleviol Ahmeti pak javë më parë kishte dalë nga burgu, pasi Gjykata kishte dhënë për të masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, por në kushtet kur ai ka dalë jashtë banesës dhe është konfliktuar me persona të tjerë, në këtë rast me reperin Noizy, ai është arrestuar në kushtet e flagrancës.
“Në vijim të veprimeve u bë arrestimi, për veprën penale “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, i shtetasit K. A., 36 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.