Të paktën 12 persona u vranë dhe katër u plagosën sot pas një shpërthimi të fuqishëm në një fabrikë municionesh dhe eksplozivësh në veriperëndim të Turqisë, thanë autoritetet.

“Sipas të dhënave të para, 12 punëtorë kanë vdekur dhe 4 janë shtruar në spital,” vuri në dukje guvernatori i provincës Balıkesir Ismail Ustaoglu në një postim në X.

Punëtorët e lënduar u dërguan në spital, por gjendja e tyre është e stabilizuar, tha gjithashtu guvernatori i Balikesir për rrjetin e lajmeve NTV.

Sipas autoriteteve turke, fabrika ku ndodhi shpërthimi prodhon municione, por edhe lëndë plasëse që nuk janë të destinuara për përdorim ushtarak.

Imazhet e transmetuara nga rrjetet televizive turke treguan metale dhe xhama të shpërndara rreth fabrikës, e cila u shemb pjesërisht për shkak të valës goditëse nga shpërthimi, sipas guvernatorit të provincës.

Top Channel