Një aksident tragjik gjatë një fluturimi me parashutë i ka marrë jetën Tijana Radonjiç, një modele 19-vjeçare nga Serbia.
Ngjarja ka ndodhur mbi ujërat e Kotorrit, ku e reja kishte pranuar të merrte pjesë në një fluturim promovues të organizuar nga një agjenci turistike lokale.
Tijana, e cila deri në ato momente ishte e buzëqeshur dhe e qetë në plazh, u ngrit në ajër për të realizuar një video publicitare, por pas vetëm pak minutash, gjithçka mori një kthesë tragjike.
Një video e regjistruar nga kushëriri i saj, i cili ndodhej në vendngjarje, tregon momentet dramatike të fluturimit dhe rënien fatale nga një lartësi prej rreth 50 metrash.
Sipas hetuesve të Kotorrit, vajza mund të ketë përjetuar një krizë paniku gjatë fluturimit dhe, në gjendje agjitacioni, është përpjekur të heqë pajisjet e sigurisë, duke çuar në rënien e saj. Në video dëgjohen thirrjet e saj të dëshpëruara – “Më ul poshtë!” – dhe lëvizjet që duken si përpjekje për t’u çliruar nga sistemi i sigurisë.
Familja nuk beson versionin zyrtar
Megjithatë, familjarët e Tijanës shprehin dyshime mbi këtë version. Ata theksojnë se ajo ishte një vajzë e qetë, me përvojë të mëparshme në aktivitete të ngjashme dhe aspak e prirur për panik. Pamjet e videos, sipas tyre, ngritin më shumë pikëpyetje sesa japin përgjigje.
Tragjedia ndodhi përpara syve të kushëririt të saj, i cili vazhdonte të filmonte pa e kuptuar se çfarë do të ndodhte. Më pas, trupin e pajetë të Tijanës e nxorrën nga uji autoritetet vendase.
Një jetë dhe ëndrra të ndërprera
Tijana ishte një vajzë me ambicie të mëdha: donte të udhëtonte dhe të vazhdonte studimet jashtë vendit. Ajo ishte e njohur si modele në mjediset e rinisë serbe dhe kishte nisur të ndërtonte një profil publik në rrjetet sociale.
Funerali i saj u mbajt më 2 qershor, ku morën pjesë qindra të afërm dhe miq. Në rrjetet sociale, dhimbja u shpreh përmes mesazheve prekëse që kujtonin buzëqeshjen, ëndrrat dhe shpirtin aventurier të 19-vjeçares.
Autoritetet malazeze kanë nisur një hetim për të analizuar përgjegjësinë e agjencisë që organizoi fluturimin dhe për të përcaktuar nëse janë respektuar të gjitha protokollet e sigurisë.