Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka reaguar pas incidentit të ndodhur mes udhëheqësit francez, Emmanuel Macron dhe bashkëshortes së tij, Brigitte, një moment që në pak momente u bë viral kudo nëpër rrjet.

Momenti i sikletshëm për çiftin francez u filmua nga reporterët në momentin që ata të dy sapo kishin hipur në avion kur për një çast Brigitte godet në fytyrë me shuplakë Macron, i cili menjëherë ndihet i sikletosur nga kamerat që po e fotografonin.

I pyetur nga gazetarët për një këshillë martesore për homologun e tij Macron, Trump është shprehur me shaka: “Sigurohuni që dera të mbetet e mbyllur”.

Kujtojmë se Macron e hodhi poshtë incidentin, duke u thënë gazetarëve: “Ka një video që më tregon duke bërë shaka dhe duke ngacmuar gruan time dhe në një farë mënyre kjo bëhet një lloj katastrofe gjeo-planetare, me njerëz që madje dalin me teori për ta shpjeguar atë”.

Trump duket se tregoi se kishte folur me Macron pas incidentit, të cilin e përshkroi si “jo të mirë”.

“Kjo nuk ishte mirë. Jo. Fola me të dhe ai është mirë, ata janë mirë, janë dy njerëz vërtet të mirë”, tha Trump për çiftin presidencial, me të cilët ai dhe Zonja e Parë Melania Trump kanë kaluar kohë të konsiderueshme.

“Nuk e di se për çfarë bëhej fjalë, por i njoh mirë, ata janë mirë”, shtoi ai.