Vidhnin automjete duke përdorur çelësa të klonuar, vihen në pranga 3 shtetas, njëri prej tyre me masë sigurie “Arrest në shtëpi”. Shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tyre. Zbardhen dhe dokumentohen 3 raste të vjedhjes së automjeteve, me anë të çelësave të klonuar.
Sekuestrohen një automjet i dyshuar i vjedhur, targa të vjedhura, një armë zjarri kallashnikov, shkop gome, radio policie dhe një automjet që autorët dyshohet se e përdornin gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Cloned key”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E. P., 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim;
E. S., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;
L. T., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim bashkëpunëtorët e tyre, shtetasit Y. K., 54 vjeç dhe K. S., 36 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, me anë të çelësave të klonuar, kanë vjedhur automjete, në zona të ndryshme të Tiranës, të cilat i kanë shitur më pas në zonën e Fushë Krujës dhe Mamurrasit.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në një subjekt në pronësi të shtetasit L. T., shërbimet e Policisë kanë gjetur targa të dyshuara të vjedhura, një shkop gome, një radio policie dhe çelësa makinash. Gjithashtu, gjatë kontrollit në një automjet të parkuar në këtë subjekt, u gjetën një armë zjarri kallashnikov, krehër dhe municion luftarak.
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi E. S. kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi, duke dalë jashtë banesës. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet i vjedhur, targa të vjedhura, një armë zjarri kallashnikov, shkop gome, radio policie, një aparat celular dhe një automjet që autorët dyshohet se e përdornin gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Vijon puna për kapjen e 2 bashkëpunëtorëve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjes që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.