Një 56 vjeçar me inicialet A.B është arrestuar në zonën e Astirit në Tiranë teksa është kapur duke shpërndarë lëndë narkotike të llojit “kokainë dhe kanabis”. Gjithashtu i janë sekuestruar edhe armë zjarri dhe armë të ftohta gjatë kontrollit në banesën e tij.

Njoftimi i Plotë:

Tiranë

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Shpërndante lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, në zonën e Astirit, vihet në pranga 56-vjeçari.

Sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza gati për shitje, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, një peshore, një armë zjarri pistoletë me mulli, një automjet, një thikë, një sasi parash dhe dy aparate celulare.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune hetimore, bazuar në të dhënat e grumbulluara në rrugë operative nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, se një shtetas posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa në zonën e Astirit në Unazë të Re, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për kapjen e tij.

Në rrugën “Teodor Keko”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe më pas kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. B., 56 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik dhe gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë të dyshuar lëndë narkotike kokainë, një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa, një peshore elektronike, një shumë parash, një armë zjarri pistoletë, fishekë luftarakë, një thikë, dy aparate celulare dhe një automjet.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.