LAJM I FUNDIT/ 60 mijë euro në banesë dhe falsifikime dokumentesh, arrestohet ish kreu i kadastrës së Vlorës, Klodian Troçi.
Ndërkohë që gjatë mesditës së sotme, doli vendimin për arrestimin e tij dhe ky i fundit u shpall në kërkim pasi në sajë të kontrollit në shtëpinë e tij u gjetën vetëm 60 mijë euro. Aktualisht Troçi gjendet në komisariatin e policisë së Vlorës.
Ish-drejtori i kadastrës rezulton të jetë i përshirë në skandalin e pronave dhe në zhdukjen e dosjeve nga arkivat e qarkut të Vlorës pak ditë më parë ku u raportua se ngjarja ishte kryer nga një person që e njihte mirë zonën dhe e dinte ku ndodheshin dokumentet.
Burime të Fax News, konfirmojnë se dosjet e gjetura në shtëpinë e ish-kreut të kadastrës, pritet të jenë kutia e pandorës që do të pasohen nga arrestime të shumta.
NJOFTIM I PLOTE I PROKURORISE
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, ka rregjistruar kryesisht, procedimin penal nr.414/2021 që bën fjalë për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se njëherë, të parashikuara nga nenet 248 e 190/2/3 të Kodit Penal.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, ka administruar të dhëna se prej punonjësve të D.A.M.T. pranë Këshillit të Qarkut Vlorë, në bashkëpunim me persona të tjerë, gjatë viteve 2019-2021 janë kryer veprime të kundraligjshme, në drejtim të falsifikimit të dokumentave arkivorë të pronësisë, si A.M.T.Pronësi.A.M.T.Përdorim, Formularë nr.6 etj., për banorë të fshatrave Himarë e Dhërmi, etj. të Bashkisë Himarë. Këto dokumenta, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara, mbi bazën e kërkesës së shtetasëve të interesuar, ose institucioneve, që kërkonin konfirmime, sipas parashikimeve të ligjit nr.20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, u konfirmohej prej Kadastrës së Qarkut Vlorë, autenticiteti i tyre në rrugë zyrtare.
Në funksion të vërtetimit të rrethanave të faktit si dhe individualizimit të përgjegjësisë penale janë kryer në vijimësi,në mënyrë intensive, një numër i konsiderueshëm veprimesh hetimore, të atilla si kqyrje e librave të protokollit, administrim i praktikave dokumentare të marrjes së tokave në pronësi/përdorim,kqyrje e Rregjistrave Hipotekorë për Zonat Kadastrale Vlorë; sekuestrime të dokumentave pranë institucioneve përkatëse etj., prejtë cilave, janë mbledhur prova e të dhëna të cilat mbështesin dyshimin e arsyeshëm për falsifikimin e një numri të konsiderueshëm, dokumentash pronësorë, në këtë periudhë kohore
Nga analiza e provave të deritanishme, u provua ekzistenca e dyshimit të arsyeshëm, të bazuar në prova se shtetasit B.GJ. në cilësinë e drejtorit pranë D.A.M.T.së Këshilli i Qarkut Vlorë; K.T. në cilësinë e drejtorit pranë D.A.M.T.së Këshilli i Qarkut Vlorë, si dhe K.M, në cilësinë e e specialistit pranë D.A.M.T.së Këshilli i Qarkut Vlorë, për periudhën kohore përkatëse, kanë kryer veprime në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, të kryera në bashkëpunim, pasi për një numër të konsiderueshëm praktikash, ndonëse është konstatuar prej tyre se dokumentat pronësorë të shtetasëve, kishin ndërhyrje të karakterit falsifikues në formë dhe përmbajtje, i kanë njehsuar ato, duke i konfirmuar dhe përcjellë shtetasëve ose institucioneve kërkuese. Po kështu u provua ekzistenca e dyshimit të arsyeshëm, të bazuar në prova se shtetasi S.D. banor i fshatit Dhërmi, Bashkia Himarë është autor i kryerjes të veprës penale të “Falsifikimit të formularëve” kryer në bashkëpunim, e më shumë se njëherë, parashikuar nga neni 190/2 i K.P.;
Në funksion të hetimit paraprak të këtij procedimi penal, prej Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë janë urdhëruar ndalimet e shtetasëve B.GJ.; K.M. dhe S.D. ndalime të cilat janë ekzekutuar prej shërbimeve të policisë gjyqësore në dt.14.10.2021.Gjatë kontrollit të banesës të shtetasit B.GJ. rezulton se janë gjetur e sekuestruar prova të shumta materiale, praktika të D.A.M.T Këshilli i Qarkut Vlorë, Zyrës së D.A.M.T. Sarandë, si dhe 33 fashikuj gjyqësor origjinalë, që i përkasin fondit arkivor të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Prej Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, me vendim të dt.17.10.2021 është vendosur:
1. Vleftësim i ligjshëm i ndalimit për personin nën hetim B.GJ.
2. Caktimin e masës të sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim B.Gj. banues në Vlorë. i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.P.
3. Vleftësim i ligjshëm i ndalimit për personin nën hetim K.M. banuesnë Vlorë.
4. Caktimin e masës së sigurimit “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim K.M. banues në Vlorë, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 248 e 25 të K.P.
5. Vleftësim i ligjshëm i ndalimit për personin nën hetim S.D banues në Himarë.
6. Caktimin e masës të sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim S.D. i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimi i vulave stampave apo formularëve” kryer në bashkëpunim,të parashikuar nga nenet 190/2 të K.Penal.
Gjithashtu, po në funksion të këtij procedimi penal me vendimin nr.397 dt.16.10.2021. të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ndër të tjera është vendosur:
“1.Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit K.T, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 248 e 25 të K.P.”Kjo masë sigurimi rezulton të jetë ekzekutuar prej shërbimeve të policisë gjyqësore më datë 17.10.2021.Gjatë kontrollit të banesës të shtetasit K.T.rezulton se janë gjetur e sekuestruar prova të shumta materiale, si dhe nje shume prej 60.000 Euro.
Hetimet për këtë procedim penal vijojnë.