Në zonën turistike të Thethit, edhe këtë të diel ka vijuar operacioni i IKMT-së për lirimin e hapësirave publike të zëna nga ndërtesa dhe struktura pa leje. Ndryshe nga një ditë më parë, kur ka patur sërish  tensionet mes banorëve dhe forcave të rendit, aksioni rinisi në orët e paradites në një atmosferë më të qetë.

Sipas Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, që po zhvillon operacionin me mbështetjen e Policisë së Shtetit, nga e hëna deri sot janë shembur mbi 60 objekte pa leje. Bëhet fjalë për ndërtesa me beton, si edhe struktura druri e metalike të përshtatura si bujtina. Drejtuesit e IKMT-së sqarojnë se gjatë verifikimeve janë identifikuar edhe dhjetëra ndërtime të tjera të paligjshme, të cilat pritet të hiqen javën e ardhshme.

Që në ditët e para, operacioni është shoqëruar me përplasje mes forcave të rendit dhe banorëve, të mbështetur edhe nga përfaqësues të opozitës, që kërkojnë pezullimin e aksionit, duke argumentuar se ndërhyrja në kulmin e sezonit turistik dëmton rëndë aktivitetin e tyre ekonomik. Banorët theksojnë se shumica e ndërtimeve të shembura ndodhen në pronat e tyre dhe përfaqësojnë burimin e vetëm të të ardhurave familjare

Paralelisht me shembjen, mjetet e bashkisë Shkodër po pastrojnë inertet, me synim rikthimin e hapësirave publike në gjendjen e mëparshme dhe ruajtjen e imazhit karakteristik të Thethit, qendra e Parkut Kombëtar të Alpeve.

/rtsh.al/