Pas shkarkimit të drejtorit të Policisë së Korçës Erion Ahmetit dhe dorëheqjes së drejtorit të Policisë së Elbasanit, Fatmir Hoxha, do te ketë edhe ndryshime të tjera të rëndësishme në rang drejtorësh qarqesh në Policinë e Shtetit.
Gara është hapur edhe për drejtorin e policisë së Shkodrës, por pritet që drejtuesi aktual i komanduar, Gentian Berberi të kandidojë për këtë detyrë dhe të rikonfirmohet.
Ndryshime do të ketë në qarkun e Lezhës, që aktualisht drejtohet nga Altin Mena.
Pritet që edhe qarku më i rëndësishëm, ai i Tiranës të ketë ndryshim, ku drejtor aktual i Tiranës është Elton Alushi.
Pothuajse në pjesën më të madhe të qarqeve do të kemi emra të rinj drejtuesish, ku pritet të promovohen edhe figura të reja, si Uljan Shpataraku, por pritet që edhe drejtues aktual të transferohen nga një qark në tjetrin.
Ndërkohë sot nisin edhe aplikimet e para për drejtues të departamenteve në DPPSH, pasi është hapur gara për departamentin e Kufirit dhe Migracionit dhe departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Mbetet ende e pahapur gara për departamentin e Policisë Kriminale që drejtohet nga Neritan Nallbati, ku ligji për Policinë e Shtetit i miratuar një vit më parë e përcakton qartë që duhet hapur gara./A2






