
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka publikuar për herë të parë katalogun e pasurive të sekuestruara, një nismë e rëndësishme që synon të rrisë më tej transparencën dhe efektivitetin e administrimit të këtyre pasurive.
Nisma është ndërmarrë nën drejtimin e kryeadministratores së AAPSK, Risena Xhaja, e cila ka vënë theksin tek rëndësia e një administrimi më të rregullt dhe më transparent të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
“Katalogët e pasurive të konfiskuara dhe të sekuestruara janë një hap konkret në drejtim të forcimit të besimit të publikut dhe institucioneve në procesin e administrimit të këtyre pasurive. Përmes kësaj nisme, ne po sigurojmë që çdo pasuri e administruar nga AAPSK të jetë e evidentuar qartë dhe e aksesueshme për publikun, duke garantuar një administrim sa më efikas dhe të drejtë,” u shpreh Risena Xhaja.
Për herë të parë në historinë e Agjencisë, të gjitha pasuritë që ndodhen nën administrimin e saj po regjistrohen dhe po bëhen publike përmes katalogëve zyrtarë, duke krijuar një standard të ri transparence dhe llogaridhënieje, thuhet në njoftim.
Publikimi i këtij katalogu është një hap domethënës edhe për forcimin e transparencës në menaxhimin e pasurive nga ana e agjencisë. Ky proces siguron jo vetëm një administrim më të mirë të këtyre aseteve, por edhe një angazhim më të fortë ndaj standardeve më të larta të menaxhimit publik.
