Duke përdorur një studim të ri mbi përhapjen e hershme të koronavirusit në Itali, Kina ka hedhur dyshimin se sëmundja mund të ketë nisur pikërisht nga fqinji ynë përtej Adriatikut dhe jo nga shteti aziatik që konsiderohet zyrtarisht si vendlindja e saj.

“Fox News” thotë se zyrtarët në Pekin janë duke e shqyrtuar me kujdes studimin që lë të kuptohet se Covid-19 mund të jetë përhapur në Itali që në muajin shtator, që do të thotë, tre muaj përpara se të shpërthente në Wuhan. Qyteti kinez është konsideruar prej kohësh si epiqendra e pandemisë.

Kina po kështu ka hedhur  dyshime edhe mbi Spanjën lidhur me origjinën e koronavirusit, për të cilin më parë ka dalë me pretendimin se u çua në Wuhan nga ushtarët amerikanë tetorin e vitit të kaluar, gjatë lojërave ushtarake botërore. Kina vetë ka arritur ta frenojë në masë të madhe përhapjen e sëmundjes që ka gjunjëzuar pjesë të tjera të globit.

Sipas CNN, pothuajse një milion banorëve atje u është administruar një vaksinë eksperimentale e koronavirusit, e prodhuar nga gjiganti farmaceutik kinez, “Sinopharm”, si pjesë e një programi për përdorim urgjent të autorizuar nga Pekini.