Gjatë qëndrimit në Britani, kryeministri Edi Rama është pritur në një takim nga Kryetari i Kuvendit të Mbretërisë së Bashkuar Lindsay Hoyle. Kreu i qeverisë bën me dije se Hoyle shprehu keqardhjen për retorikën e përdorur ndaj shqiptarëve ndërsa pohoi vlerat që ka dhënë komuniteti shqiptar në Britani.

“Takim me Kryetarin e Kuvendit të Mbretërisë së Bashkuar, Lindsay Hoyle, i cili shprehu keqardhje për retorikën shqetësuese ndaj shqiptarëve dhe duke nënvizuar domosdoshmërinë e luftës së përbashkët kundër rrjeteve kriminale, theksoi vlerat e pamohueshme të komunitetit shqiptar në Britani, si edhe ngriti lart rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, shkruan Rama

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ndodhet sot në vizitë zyrtare dyditore në Mbretërinë e Bashkuar, ku do të zhvillojë një sërë takimesh të rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Për herë të parë, Kryeministri Rama do të pritet në një takim nga Kryeministri britanik Rishi Sunak në zyrën e tij, ku do të diskutojnë mbi çështje aktuale të politikës ndërkombëtare, si dhe forcimin e bashkëpunimit, përmes marrëveshjeve ndërqeveritare, në fusha me interes të ndërsjellë.

Diskutime të rëndësishme mbi bashkëpunimin në fusha si ekonomia, arsimi, mjedisi, etj do të zhvillohen në tryezat e rrumbullakëta  të nivelit të lartë, si ajo mbi partneritetin universitar midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë organizuar nga “University College London” dhe “British Council” dhe  universitetet kryesore britanike, apo  Tryeza e rrumbullakët e nivelit të lartë për biznesin, energjinë dhe mjedisin me përfaqësues të  kompanive kryesore në Mbretërine e Bashkuar.

Kryeministri Rama dhe delegacioni që e shoqëron do të marrin pjesë në pritjen zyrtare qeveritare me rastin e 100 vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri – Mbretëri e Bashkuar.