Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se do të shfuqizojë vendimet e ish-presidentit Thaçi që bien ndesh me praktikat diplomatike. Deklarata e saj u bë pas raporteve në media mbi emërimin si Konsull i Përgjithshëm në Pragë, të Flakron Shalas, djali i deputetit Haxhi Shala.
Osmani, thotë se vazhdimisht ka kërkuar nga qeveria që të shqyrtojë dokumentet për shërbime diplomatike, por “ende nuk ka fituar qasje në këtë material”.”Konsullata e Përgjithshme në Pragë dhe emërimi i Konsullit të Përgjithshëm aty, janë në kundërshtim me çdo praktikë diplomatike dhe konsullore të vendeve demokratike.
Nuk mund të hapen Konsullata të Përgjithshme në të njëjtin qytet ku kemi edhe Ambasadë. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm. Është praktikë e mbrapshtë, të cilën duhet ta kthejmë mbarë. Prandaj ato dekrete do të shfuqizohen”, shkroi Osmani në një postim në Facebook. Emërimi i Flakron Shalës, në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm në Pragë, është kundërshtuar edhe nga disa organizata të shoqërisë civile në Kosovë.
Deputeti Haxhi Shala, u bë subjekt i një debati publik, për faktin se vota e tij ishte vendimtare për qeverinë aktuale të drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, në një kohë kur më herët, kishte deklaruar se do të votonte kundër qeverisë Hoti. Vetë Shala pat thënë se kishte ndryshuar mendimin për ta votuar qeverinë, pasi kishte takuar Thaçin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.