Finalizohet operacioni policor i koduar “Jackpot”, për goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e lojërave të fatit.

Janë kapur në flagrancë duke vënë baste sportive nëpërmjet aparateve celulare, vihen në pranga 2 shtetas. Në pranga edhe mbikëqyrësi i kompjuterave që shërbenin për lojëra fati.

Po ashtu, shpallet në kërkim pronari i lokalit të vendosur në dispozicion për këtë veprimtari të kundërligjshme. Sekuestrohen 4 kompjutera dhe 2 aparate celulare që shërbenin për lojëra fati.

“Shërbimet e Policisë, mbështetur me inteligjencë informative se në një lokal në lagjen “Osman Haxhiu”, organizoheshin lojëra të fatit, finalizuan operacionin policor të koduar “Jackpot”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: O. Ll., 18 vjeç, N. Ll., 38 vjeç dhe E. V., 51 vjeç, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit: Xh. Ll., 39 vjeç, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati të palejuara”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Vijon puna për kapjen e tij.” – njofton policia.

Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit Xh. Ll., u gjetën dhe u sekuestruan 4 kompjutera që përdoreshin për lojëra fati dhe që mbikëqyreshin nga shtetasi i arrestuar O. Ll.

Gjithashtu po në ambientet e këtij lokali, shtetasit N. Ll., dhe E. V. u konstatuan duke vënë baste sportive, nëpërmjet aparateve të tyre celulare, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.