Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot nis një vizitë katërditore në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Ky do të jetë një rast për të diskutuar bashkëpunimin dypalësh dhe veçanërisht për t’u prezantuar më në detaje udhëheqësve rajonalë Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Sipas njoftimit Von der Leyen, nesër do të jetë në Prishtinë ku do të zhvillojë takime me kryeministrin dhe presidenten.
“Të hënën ajo do të udhëtojë për në Prishtinë, ku do të takohet me Presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, thuhet në njoftim.
Pas vizitës në Prishtinë, Von der Leyen pasdite do të udhëtojë për në Beograd. Atje ajo do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe me kryeministren, Ana Brnabiç.
Vizita në Ballkanin Perëndimor vjen pas pjesëmarrjes së Von der Leyen në Samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur në Tiranë më 16 tetor.
Procesi i Berlinit nuk është një nismë zyrtare e politikës së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor; është një përpjekje e përbashkët e udhëhequr nga Gjermania, e mbështetur nga vende të ndryshme anëtare të BE-së si Austria, Sllovenia, Kroacia, si dhe Franca, Italia, Polonia e të tjera.
Qëllimi i tij kryesor është të promovojë zhvillimin rajonal, të përmirësojë bashkëpunimin, të tërheqë investime dhe, duke e bërë këtë, të ndihmojë këto vende në përgatitjet e tyre për anëtarësimin në BE në të ardhmen.