Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka nisur vizitën e saj katërditore në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Von der Leyen sot do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Siç thuhet në njoftimin e lëshuar nga presidenca takimi do të fillojë nga ora 13:15. Pas takimit do të mbajnë një konferencë, mediat do të marrin pamje në fillim të takimit.

Ajo është takuar dje në Shkup me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi. Ky i fundit në një postim në Facebook ka dhënë detaje nga bisedimet me Von der Leyen.

“Në takimin e punës me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen bisedonim për përgjegjësinë politike të gjithë partive në miratimin e ndryshimit të Kushtetutës dhe proceseve reformuese në drejtim të anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Xhaferi.

Përveç Xhaferit, e para e Komisionit Evropian dje është pritur në takim edhe nga presidenti Stevo Pendarovski.

“Me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, diskutuam për fazat e ardhshme të negociatave pas përfundimit të procesit të shqyrtimit dhe dinamikën e zbatimit të reformave. Faleminderit për mbështetjen dhe përkushtimin nga BE-ja për integrimet tona evropiane”, ka shkruar Pendarovski në një postim në Facebook.

Pas Prishtinës, Von der Leyen do të vazhdojë vizitën në Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Gjatë vizitës në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor, kryetarja e Komisionit Evropian, do ta prezantojë Kornizën Investuese të Ballkanit Perëndimor, e cila është një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Evropian, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Paketa e investimeve e planifikuar nga Unioni për avancimin e rajonit arrin në 6 miliardë euro – 2.1 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi, por kjo  ndihmë për rajonin do të kushtëzohet nga shkalla e reformave të zbatuara në secilin prej vendeve veç e veç.