
Prokuroria e Gjykatës së Shkallës së Parë në Juridiksionin e Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin H.Gj për veprën penale ‘Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar’, parashikuar nga neni 327/a pg.1 i Kodit Penal.
Në kuadër të procedimit penal nr.108 të vitit 2023, në përfundim të hetimeve për këtë procedim penal, prokuroria ka marrë të pandehur shtetasin H.Gj., dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes në gjyq, pasi u provua se, në zgjedhjet e pjesshme vendore në Bashkinë Lushnjë të zhvilluara në datën 06.03.2022, i pandehuri H.Gj. ka votuar dy herë në qendrën e votimit ZAZ 54 Dushk, Bashkia Lushnjë.
Nga procesi i kryqëzimit të të dhënave të pajisjes elektronike të identifikimit të zgjedhësve (PEI), të vendosur në çdo Qendër Votimi të Republikës së Shqipërisë, ka rezultuar se, i pandehuri ka votuar herën e parë si komisioner i KQV në QV 2818, ZAZ 54, Dushk, bazuar në nenin 58 të Kodit Zgjedhor, dhe herën e dytë në QV 2817, ZAZ 54, Dushk, si banor.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.
