Dy vëllezër shqiptarë 20 dhe 25 vjeç, Ilmi dhe Klinton Rakipaj, janë dënuar me 18 vjet burg secili, ndërsa u gjykuan për vrasjen e bashkëatdhetarit të tyre Albert Deda, 24 vjeç.
Krimi ndodhi në Padova pas një përleshje mes vëllezërve dhe viktimës.Vëllezërit Rakipaj u akuzuan për vrasje me dashje, tentativë e dyfishtë dhe armëmbajtje me thikë.
Bazuar në vendimin e Gjykatës, dy vëllezërit do të duhet të dëmshpërblejnë me 300 mijë euro secili dy personat e plagosur rëndë në përleshjen e ndodhur më 23 korrik të vitit të kaluar në via Dorighello, në lagjen Forcellini, si dhe të japin një total prej 500 mijë euro për prindërit e Albert Deda, 24-vjeçarit që u godit me thikë në zemër.
Klinton dhe Ilmi Rakipaj, të cilët jetonin në banesën nr 8 në via Dorighello, morën një vizitë nga tre persona, pasivëllezërit kishin refuzuar të strehonin një nga bashkatdhetarët e tyre, i cili kishte mbërritur një ditë më parë. Mes tyre ishte edhe Albert Deda, i cili i njihte mirë dy vëllezërit pasi më parë kishte qenë shoku i tyre i dhomës.
Klinton dhe Ilmi Rakipaj, pas një debati të çastit me 3 personat që kishin shkuar poshtë banesës së tyre, përdorën thikat që kishin me vete, duke goditur për vdekje shokun e tyre 24-vjeçar dhe duke plagosur rëndë dy bashkatdhetarët e tjerë, përkatësisht 26 dhe 28 vjeç.
Më pas dy vëllezërit tentuan të arratisen me një Renault Clio të kuqe për të shmangur problemet me ligjin. Plani i tyre dështoi 20 kilometra larg kufirit shtetëror, ndërsa u ndaluan nga policia në kryqëzimin e autostradës Villesse.