Ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj portugezi Ruben Saraiva do të ekstradohet në Shqipëri.

Drejt Marokut, ku portugezi po qëndron i arrestuar që prej majit, ka udhëtuar një skuadër e policisë shqiptare e cila do të marrë vrasësin për shkak se është vendosur depërtimi i tij për ta sjellë para drejtësisë shqiptare. Gjithë procedura pritet të përmbyllet këtë të premte.

Mbërritja e tij në Shqipëri shihet shumë me vlerë për hetimin pasi do të hedhë dritë mbi mekanizmat që ka përdorur ky grup kriminal me 3 kombësi për vrasjen e biznesmenit. Porositës dyshohet se është Edmond Haxhia, i cili kërkonte vrasjen e Nikulajt për hakmarrje.

Nikulaj u ekzekutua në prill të këtij viti teksa po qëndronte ulur brenda biznesit të tij, kur portugezi me skafandër hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Pas ngjarjes, anglezët që ishin në rolin e vëzhguesit u larguan nga Rinasi dhe ndërsa ekzekutori Ruben Saraiva në rrugë tokësore shkoi fillimisht në Greqi, me pas në Maltë dhe destinacioni final ishte Maroku ku dhe u arrestua.

Vrasja e Nikulajt pasoi ngjarje të tjera kriminale të cilat janë ende pa autor. Në korrik të këtij viti në Balldre të Lezhës u ekzekutua Nikolin Lekstakaj, ndërsa më 4 dhjetor u ekzekutua me breshëri plumbash Etjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulaj, teksa po lëvizte me automjetin e tij fuoristradë ML në aksin rrugor Lezhë-Milot. Pista kryesore e hetimeve është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj.

Top Channel