Historia tragjike e 13-vjeçares shqiptare, Aurora Tila, e cila humbi jetën në vitin 2024, pasi u hodh nga ballkoni nga i dashuri i saj, është një kujtesë e dhimbshme për normalizimin e dhunës dhe femicidit në Itali.Nëna e Aurora Tila, Morena Corbellini, i ka bërë thirrje shoqërisë dhe ligjeve të veprojnë më shpejt dhe më fuqishëm për të parandaluar raste të tilla dhe për të luftuar dhunën ndaj grave.
Aurora, një nxënëse e Shkollës së Mesme Colombini në Piacenza, humbi jetën pasi ra nga ballkoni i katit të shtatë, pas një periudhe të gjatë të përndjekjes dhe dhunës psikologjike nga ish-i dashuri i saj, i cili ishte vetëm 15 vjeç në atë kohë.jë gjyqi të përshpejtuar, ai u dënua me 17 vjet burg për vrasje të rënduar dhe përndjekje. Pas kësaj ngjarjeje, Morena Corbellini ka krijuar shoqatën “La Luce di Aurora”, me qëllimin për të përhapur informacion dhe për të luftuar dhunën ndaj femrave, duke u fokusuar veçanërisht në parandalimin e dhunës në shkolla dhe komunitet.
Në një intervistë për La Stampa, Morena Corbellini shpjegon se vrasjet e femrave tregojnë se dhuna ndaj grave po bëhet gjithnjë e më e normalizuar. Ajo thekson se nuk është vetëm fenomen i burrave të moshës së mesme, por edhe i të rinjve që përdorin dhunën si një mjet për të arritur qëllimet e tyre, duke shtuar se vrasësi i vajzës së saj mburret në burg për krimin që ka bërë.
Ajo thekson gjithashtu se ligjet italiane janë ende të buta, veçanërisht për të miturit, dhe se dënimet e shkurtra nuk do të ndryshojnë mentalitetin e atyre që shohin dhunën si një veprim të zakonshëm. “Nëse një i ri e normalizon vrasjen, është praktikisht e sigurt se do ta bëjë përsëri, sepse për të është normale. Duhet të veprojmë më shpejt”, ka thënë Corbellini.
Pak muaj më parë, e ëma e adoleshentes shqiptare u shpreh për Top Channel se si kishte ndodhur krimi makabër, duke u shprehur se dënimi i autorit ishte i pamjaftueshëm.






