Presidenti Ilir Meta ka reaguar për dy ngjarjet kriminale të ndodhura dje dhe pardje në Krujë dhe në Fier. Kreu i shtetit shprehet se dënon me forcë aktet kriminale të vrasjes së biznesmenit në Fier dhe dhunimit të sipërmarrësit tjetër në Nikël duke kërkuar zbardhjen e ngjarjeve.
“Dënoj me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, vrasjen e biznesmenit Backa në qendër të Fierit, si dhe grabitjen dhe torturimin e biznesmenit Çangu në Nikël të Krujës.
Këto ngjarje, që kanë tronditur thellë opinionin publik, përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, por edhe për zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend, të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e menjëhershëm të autorëve me rrezikshmëri të lartë dhe vënien e tyre para drejtësisë, por edhe për të marrë të gjitha masat efektive për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda dhe tronditëse kriminale” shkruan Meta.
Demir Backa u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në Fier, ndërsa Nazmi Çangu u dhunua dhe u grabit në orët e para të ditës së djeshme në vilën e tij në Nikël të Krujës./ Abcnews.al