Policia e Sigurisë së Kalamatës ka mbërritur në gjurmët e autorëve të krimit të rëndë me viktimë, ku një fermer 31-vjeçar shqiptar, u gjet i varrosur në plazhin e Kartelës në Kyparisia .
Bëhet fjalë për një shqiptar 30-vjeçar dhe një greke 30-vjeçare, ndërsa në kërkim është bashkëpunëtor një tjetër 24-vjeçar rom. Sipas të dhënave të marra nga hetimi policor, motivi i autorëve ka qenë grabitja.
Viktima dhe autorët dyshohet se janë argëtuar mbrëmjen e së dielës në një lokal në Kyparisia. Sipas të njëjtave informacione, viktima dyshohet se ka pasur në posedim një shumë të madhe parash, që arrin në 10 mijë euro.
Autorët duket se e kanë kuptuar këtë dhe kur grupi ka dalë nga lokali e kanë çuar 31-vjeçarin në plazhin e Kartelës, ku e kanë goditur disa herë me një send metalik në kokë, duke e lënë të vdekur. Më pas ata e varrosën trupin në rërë për të fshehur veprën e tyre.
Që në momentet e para, autoritetet policore kanë shoqëruar disa persona, kanë marrë deklarime dhe më në fund kanë mbërritur në identifikimin dhe gjurmët e autorëve.
30-vjeçari shqiptar dhe 30-vjeçarja greke janë pikasur dhe arrestuar mbrëmjen e së martës në afërsi të Zevgolatio të Bashkisë Oichalia, ndërsa një 24-vjeçar është ende në kërkim.
Dy të arrestuarve iu gjetën gjithsej 5300 euro, të cilat dyshohet se janë nga grabitja e viktimës. Ndaj dy të arrestuarve dhe ndaj 24-vjeçarit është ngritur një dosje për vrasje dhe grabitje.
Të arrestuarit me dosjen e ngritur në ngarkim të tyre u dërguan në prokurori, ndërsa hetimet e policisë vijojnë nga Drejtoria e Sigurimit të Kalamatë.