Një përmbysje e plotë ka ndodhur ditën e sotme në çështjen e vrasjes së 20-vjeçares Caroline Crouch në Greqi, ku hetuesit  faktuan në bazë të provave se nuk ka patur kurrë një grabitje në shtëpinë e çiftit dhe ka qenë bashkëshorti ai i cili ka ekzekutuar brutalisht nënës e fëmijës së tij.

Pas marrjes 8-orë në pyetje nga ana e hetuesve, mediat greke bëjnë me dije se piloti 32 vjeçar Babis Anagnostopulos, ka pranuar vrasjen e bashkëshortes së tij.

Faktet dhe provat e grumbulluara nga ana e policisë ishin të tilla që 32-vjeçari nuk mund t’i përgënjeshtronte dot më. Mediat greke bëjnë me dije se piloti 32-vjeçar ka deklaruar para hetuesve se gruaja e tij e re po planifikonte të merrte vajzën dhe të largohej nga shtëpia.

Provat që bindën hetuesit se burri ishte ekzekutuesi i bashkëshortes së tij:

Së pari, në kohën që 32-vjeçari kishte deklaruar se ka qenë i lidhur nga grabitësit kishte kryer biseda telefonike me familjarët e tij.

Së dyti, në kohën kur ai kishte thënë se ishte në gjumë, para mbërritjes së grabitësve në shtëpi, aplikacioni i Fitness që kishte shkarkuar për matur hapat dhe kaloritë që digjte gjatë ditës, kishte treguar se kishte qenë në lëvizje.

Së treti, ora biometrike e 20-vjeçares tregoi orën reale të vdekjes së saj, kohë e cila nuk përkon me atë të dhënë nga bashkëshorti i saj në dëshmi. Ora e telefonit celular ka regjistruar impulset e të resë, në kohën kur 32-vjeçari është shprehur se ajo është mbytur nga grabitësit.

Së katërti, 32-vjeçari nuk ka qenë bindës në deklaratën që ka dhënë për mënyrën si arriti të lirohej nga litarët me të cilët e kishin lidhur grabitësit për të telefonuar policinë.

Së pesti, sipas rezultateve të analizës teknike në regjistruesin e kamerës ka një mospërputhje. 32-vjeçari ka dhënë një kohë specifike për orën kur grabitësit largohen nga shtëpia. Rezulton se karta ishte hequr 4 ose 5 orë, para kohës së pretenduar nga 32-vjeçari për momentin e hyrjes së grabitësve në shtëpi.

Së gjashti, nga hetimet ka rezultuar se ka pasur një shkëmbim mesazhesh mes çiftit, të cilat tregojnë se në orët e mesnatës, ata kishin pasur një debat dhe Caroline i ka shkruar të shoqit: Budalla.

Së shtati, piloti pretendon se humbi ndjenjat për të paktën një orë. Por hetuesit thonë se nëse kjo gjendje do kishte zgjatur kaq shumë, atëherë ai do kishte dëmtime të trurit ose mund të humbte jetën. Atëherë lind pyetja se si u rikuperua ai pa probleme serioze për jetën dhe si është e mundur që ai të ishte i qartë teksa ishte pa ndjenja për aq shumë kohë.