Pas gjetjes së automjetit të djegur në Zall Her, i cili dyshohet se u përket autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit Lulzim Visha, policia ka gjetur edhe armën e dyshuar të krimit. Sipas njoftimit të policisë, arma u gjet në brendësi të automjetit, dhe dyshohet se është përdorur nga autorët.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më parë për vrasjen e shtetasit L. V., ju informojmë se: Në fshatin Zgafnor, në Zall-Herr, gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e Policisë është konstatuar i djegur një automjet tip “Porsche”  i dyshuar i përdorur nga autori/ët e ngjarjes.   Nga këqyrja e automjetit, në brendësi të tij, është gjetur një armë e gjatë zjarri, e dyshuar si arma e përdorur nga autori/ët.  Gjatë verifikimeve për targat e automjetit ka rezultuar se  targat janë të vjedhura që në muajin Prill 2023, në Kamëz. Vijon puna  intensive nga grupi i posaçëm hetimor për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve si dhe  për sqarimin e rrethanave  dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes”, njofton Policia.

Makina e djegur u gjet pak pas mesditës së të premtes në zonën e Zall Herrit në Tiranë. Burime për A2 CNN bëjnë të ditura se makina dyshohet të jetë përdorur nga autorët në vrasjen e Lulzim Vishës. 48-vjeçari, banues në Kamëz, u gjet pa shenja jete brenda automjetit në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner.

Burime për A2 CNN thonë se viktima ka qenë person që ka pasur probleme dhe pista e hasmërisë duket si më e mundshmja për hetuesit. Para disa viteve, vëllai i tij, Besnik Visha, më 10 prill të vitit 1997, ka vrarë Refik Domin te Universiteti Bujqësor.

Kjo është pista kryesore që po heton policia. Një tjetër pistë që grupi hetimor ka ngritur dhe po e verifikon është ajo e një konflikti që dy vëllezërit kanë pasur në muajt e fundit me disa persona të tjerë në zonën e Zall Mnerit.

Visha u gjet pa shenja jete brenda automjetit në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner rreth orës 7:40 këtë mëngjes. Mësohet se ai punonte postier dhe është gjetur i vrarë brenda makinës së kompanisë së postës private ku punonte. Ngjarja është lajmëruar nga një banor i zonës i cili ka telefonuar policinë.