Në Londër prej pak momentesh ka nisur seanca e dytë gjyqësore nga ku po shqyrtohet kërkesa e shtetit shqiptarë për ekstradimin e katër personave, nën dyshimin e përfshirjes në vrasjen e Ardian Nikulajt.

Përpara gjykatësit të specializuar për ekstradimet Michael Snow, kanë dalë Edmond Haxhia, Steven Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman.

Top Channel raporton se prokurorja Zoe Lash është ajo e cila përfaqëson shtetin shqiptar, kërkues i ekstradimit.

Ajo fillimisht i relatoi gjykatës rrezikshmërinë e veprës penale për të cilën Shqipëria kërkon ekstradimin.

Përmes avokatëve të katër të arrestuarit kanë depozituar kërkesat për liri me kusht kundrejt bllokimit të pasaportës, monitorimit elektronik, paraqitjes çdo javë në një stacion policie dhe garancive pasurore.

Të katra këto kërkesat janë kundërshtuar prej përfaqësueses së Shqipërisë Zoe Lash.

Në orët në vijim gjykatësi Michael Snow pritet të japë vendimin për pranimin ose jo të ndryshimit të masës së sigurisë nga arrest me burg në liri me kusht.