Policia e Shtetit/Hetime të thelluara për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Zinxhiri”, në vazhdën e operacioneve për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të kryera nga individë apo grupe kriminale.

Zbardhet një ngjarje kriminale e ndodhur në vitin 2019, në Lushnjë, ku u vra me armë zjarri një 40-vjeçar.

Falë punës intensive hetimore dhe profesionale të bërë nga strukturat hetimore qendrore dhe ato të Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me Prokurorinë, identifikohen 3 autorët e vrasjes së 40-vjeçarit.

Hetimet intensive janë kryer 8 muajt e fundit, nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe ato të Prokurorisë.

Të 3 autorët e vrasjes, shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve kundër personit.

Autorësia e kësaj ngjarjeje, e dokumentuar me prova ligjore të siguruara gjatë hetimit intensiv.

Në zbatim të programit të punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për rihapjen e dosjeve të vjetra, me qëllim sigurimin e provave për të identifikuar dhe arrestuar autorët e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, pas një hetimi intensiv të kryer 8 muajit e fundit nga Sektori i Hetimit të Grupeve Kriminale në Drejtorinë e Hetimit të Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lushnjë, si dhe pas një pune profesionale dhe hetimore të bërë në bashkëpunim me Prokurorinë, u arrit që të sigurohen prova ligjore dhe të dokumentohet autorësia e një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në Lushnjë, në vitin 2019.

Në qytetin e Lushnjës, në lagjen “Skënder Libohova”, në një lokal, shtetas të armatosur dhe të maskuar kanë ekzekutuar me armë zjarri kallashnikov shtetasin B. H, 40 vjeç, banues në Lushnjë.

Si rezultat i provave të siguruara nga hetimi intensiv, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin e datës 16.07.2023, ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për autorët e kësaj ngjarjeje, shtetasit:

Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë, aktualisht i arrestuar në Greqi. Ky shtetas u arrestua në Janinë, në maj të këtij viti, gjatë një operacioni të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Policisë greke. Pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë;

Orgest Bilbili, 33 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë, aktualisht ndodhet në IEVP Drenovë, Korçë. Ky shtetas është dënuar me burgim të përjetshëm, në lidhje me një ngjarje të gjykuar më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Ditën e djeshme, atij i është kominikuar masa e sigurisë, për vrasjen e ndodhur në vitin 2019.

Ardian Ahmetaj, 49 vjeç, aktualisht ndodhet në burg, në Greqi, pasi është arrestuar në vitin 2020, gjatë një operacioni të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Policisë greke. Ky shtetas është dënuar në vitin 2021, me 11 vjet burgim, nga Gjykata e Athinës, për armëmbajtje pa leje në rrethana rënduese, sipas Kodit Penal të shtetit grek.

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur për të bashkëpunuar me agjencitë e tjera ligjzbatuese brënda dhe jashtë vendit, si dhe me partnerët, për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjeve të vjetra dhe për të luftuar krimin e organizuar.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se në të gjithë vendin se strukturat e Policisë së Shtetit po zhvillojnë operacione intensive për të parandaluar dhe goditur paligjshmëritë në cilëndo fushë që ato shfaqen, si dhe strukturat hetimore të saj janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Lezhë.