Gjykata e Tiranës ka dënuar me 55 vite burg në total autorin e vrasjes së biznesmenit Edmond Papa tre vite më parë.
Gjyqtarët pranuan kërkesën e Prokurorisë së Tiranës duke dënuar me 30 vite burg Andrew Bode, ekzekutorin e biznesmenit për veprën penale “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje te armëve”.
30-vjeçari Alban Velo u dënua me 25 vite burg për veprën penale “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, rezultoi se grupi i vrasësve e kanë vëzhguar për disa ditë objektivin e tyre Edmond Papa në Sarandë dhe në Tiranë derisa gjetën momentin e përshtatshëm për ta ekzekutuar në një lokal pasditen e 16 dhjetorit 2022 në Tiranë.
Albano Velo, djali i një punonjësi policie në kryeqytet, 4 ditë pas vrasjes u largua nga Shqipëria në drejtim të Francës. Duke menduar se nuk kishte lënë asnjë provë në ekzekutim, u rikthye në ndërrimin e viteve në atdhe ku u vu në pranga sapo mbërriti në Rinas. Pas arrestimit të tij me urdhër të drejtorit të përgjithshëm, babai i tij Dilaver Velo që shërbente në komisariatin nr. 4 u pezullua nga detyra.
Vrasja e Edmond Papës dyshohet se ndodhi si hakmarrje për ekzekutimin më 11 qershor të Aleksandër Sadikajt në kryeqytet. Dyshohet se para ngjarjes Sadikaj dhe Papa u takuan në hotelin e këtij të fundit në Sarandë ku kanë pasur mosmarrëveshje për sa i përket trafikut të drogës.
Fill pas këtij takimi Aleksandër Sadikaj u ekzekutua me eksploziv që dyshohet se u porosit nga Papa. Për këtë arsye 6 muaj më vonë Albano Velo mik i ngushtë i Aleksandër Sadikajt së bashku me persona të tjerë të përfshirë ruajtën dhe ekzekutuan biznesmenin teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në kryeqytet pasditen e 16 dhjetorit.