Autoritetet ende nuk kanë mundur të identifikojnë autorët që ekzekutuan me armë zjarri 37-vjeçarin Iljaz Çalin.

Klan News raporton se në pyetje janë marrë të paktën dhjetë persona, katër prej të cilëve janë të dyshuar dhe mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Mbrëmjen e djeshme policia ka marrë në pyetje 50-vjeçarin RR.D., për të cilin familjarët e viktimës pretendojnë se u ka rreth 1 milion euro borxh. 50-vjeçari, gjatë marrjes në pyetje, nuk ka mohuar borxhin.

Ai ka deklaruar se viktimës i kishte 350 mijë euro borxh pasi i kishte marrë minierën e kromit në Bulqizë për të punuar. Sipas 50-vjeçarit RR.D., kromi vijon të jetë ende në galeri dhe nuk është hequr që andej.

Ai mohon të ketë lidhje me vrasjen dhe pretendonte se mbrëmjen e së dielës ishte në banesë. Para se të ndodhte krimi, Iljaz Çali kishte ardhur në Tiranë për të blerë ushqime për familjen, produkte që hetuesit i gjetën në makinë pas atentatit.

37-vjeçari Iljaz Çali u ekzekutua mbrëmjen e së dielës në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës. Ndërkohë, mësohet se policia nuk ka gjetur gëzhoja në vendin e atentatit.