Policia e Shkodrës i ka përqendruar hetimet për zbardhjen e vrasjes së babë e bir në Dukagjin, në një konflikt që Gjokë Gurra ka pasur një vit më parë me një bashkëfshatarin e tij. Burime nga grupi hetimor thanë se 57 vjeçari dhe i njohuri i tij që tashmë po hetohet nga policia, janë konfliktuar dhe zënë me grushta vitin e kaluar.

Nga dëshmitë e banorëve të fshatit Sumë, por edhe të familjarëve të dy viktimave, shkak i sherrit të asaj kohe ishte bërë tregtimi i lëndëve drusore. Gjokë Gurra që deri në vitin 2008 ka shërbyer në radhët e policisë në Shkodër, kohët e fundit bashkë me të birin, Eduardin merrej me aktivitetin e tregtimit të lëndës drusore për zjarr.Ata kishin zënë disa zona pyjore për t’i prerë dhe lëndën drusore e shiste në qytetin e Shkodrës.

Konflikti mes Gjokë Gurraj dhe bashkëfshatarit të tij një vit më parë kaloi në heshtje por policia dyshon se ky sherr mund të jetë bërë shkak për vrasjen e babë e bir pasditen e datës 29 qershor në hyrje të fshatit Sumë.

Gjokë dhe Eduard Gurra u qëlluan me 8 plumba kallashnikovi në makinën e tyre teksa ishin duke shkuar në fshatin ku kanë jetuar prej vitesh për të parë dëmet që u ishin shkaktuar nga djegia e banesës. Djegia e banesës para se t’u bëhej atentat babë e bir dyshohet se është organizuar me qëllim nga autorët për t`ju ngritur pritë atyre.

Gjokë Gurra ka punuar edhe si kryeplak i fshatit Bruçaj. Si pistë hetimore për zbardhjen e atentatit, policia ka edhe atë të kultivimit të bimëve narkotike, ku po verifikohen rastet që 57 vjeçari mund të ketë denoncuar në polici gjatë kohës që mbante postin e kryeplakut të fshatit./abcnews.al